Konjufca për sulmin e 11 shtatorit: Sulm ndaj lirisë e demokracisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kujtuar sulmin e 11 shtatorit në SHBA, ku humbën jetën afër 3 mijë persona.
“Më 11 Shtator 2001, Nju Jorku, Washington DC dhe Pensilvania u goditën nga një seri sulmesh të koordinuara terroriste, që lanë prapa mijëra njerëz të vdekur dhe të plagosur. Mizoria që tronditi botën nuk ishte goditje vetëm kundër popullit amerikan dhe ShBA-së, por edhe sulm brutal mbi vlerat e lirisë, demokracisë, mirëqenies, civilizimit dhe paqes globale”, shkroi Konjufca.
Konjufca tha se “Kosova me mendje e zemës janë pranë dhimbjes së familjeve të viktimave”.
“Edhe sot, në 21-vjetorin e kujtimit të njërës ndër ditët më të tmerrshme në historinë e botës, populli dhe shteti ynë, Republika e Kosovës, me mendje e zemër janë pranë dhimbjes së familjeve të viktimave, popullit mik amerikan dhe përkrah shpëtimtarit e aleatit tonë më të fuqishëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, përfundon shkrimi i Konjufcës./21Media