Konjufca: SHBA ishte fanari i lirisë dhe mbetet aleati më i madh i popullit tonë

Në përvjetorin e pavarësisë së SHBA-së, më 4 Korrik, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë ShBA është pishtari i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut dhe shtylla kryesore për paqen dhe stabilitetin në mbarë botën.
Konjufca tha se SHBA ishte edhe fanari i lirisë për Kosovën dhe mbetet aleati më i madh i popullit tonë.
“Miqësia e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë i cili ka udhëhequr lidhjet tona të forta tash e sa vite, në mbrojtje, siguri, përparim ekonomik dhe marrëdhënie tjera strategjike dhe ndërnjerëzore. Ky bashkëpunim dhe partneritet çdo ditë po rritet dhe po forcohet edhe më shumë”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.
Kryeparlamentari tutje ka thënë se populli i Kosovës qëndron i përkushtuar, siç ka qëndruar gjithmonë, krah Shteteve të Bashkuara.
“Do të punojmë së bashku për të adresuar sfidat e ndryshme si në rajon ashtu edhe në rrafshin global. Edhe pse gjeografikisht të largët, ne ndajmë një botëkuptim dhe interesa të përbashkëta për të avancuar idealet e paqes dhe prosperitetit. Pavarësia është një vlerë për të cilën populli shqiptar ka luftuar shumë dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se sa e çmuar është ajo. Shpreh urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për popullin amerikan në 246 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, ka thënë ai.
246-vjet më parë u ratifikua Dokumenti i Pavarësisë, një dokument ku 13 kolonitë nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.
Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787, përshkruan më pas bazën dhe strukturën e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike – Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë./21Media

Back to top button