Konjufca takohet me Nancy Pelosi, shkëmbejnë pikëpamje për forcimin e bashkëpunimit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila e ka pritur në Kongresin Amerikan.
Konjufca ka thënë se me Kongresisten Pelosi kanë shkëmbyer pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Kosovës nga aleati dhe partneri ynë strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nënvizuam faktin se popujt dhe shtetet tona ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë, dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë. Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm e të çmuar si Kongresistën Pelosi dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara. Thellësisht mirënjohës dhe falënderues”, ka shkruar Konjufca në Facebook./21Media