Konjufca takoi ambasadorin e Zvicrës, biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe për zhvillimet aktuale në Kosovë.
Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke potencuar nevojën për kultivimin dhe begatimin e mëtejmë të tyre.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Kolly për përkrahjen ndaj Kuvendit dhe institucioneve të tjera relevante të Republikës së Kosovës, duke theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ambasadori Kolly konfirmoi mbështetjen e plotë të shtetit të tij për Kosovën dhe për Kuvendin e saj në veçanti, nëpërmjet programeve të caktuara dhe shkëmbimit të përvojave në fusha të ndryshme të jetës parlamentare.
“Ishte dakordim i përbashkët se midis dy parlamenteve ekziston një bashkëpunim tashmë i konsoliduar, i cili është shprehur edhe nëpërmjet vizitave të ndërsjella të grupeve të miqësisë, të takimeve të ndryshme të komisioneve simotra, si dhe të realizimit të programeve mbështetëse për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /21Media