Vërshime në Tearcë, 20 shtëpi të dëmtuara dhe rrugë të shkatërruara

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan dëme të mëdha në Komunën e Tearcës në Maqedoninë e Veriut.

Në rreth 20 shtëpi uji është futur brenda, ndërsa janë prishur edhe rrugë dhe mure të oborreve.

Banorët thonë se nata e mbrëmshme ka qenë e vështirë për ta, kur panë se si uji po i mbulon oborret e tyre, ndërsa ishin të pafuqishëm për të ndërhyrë.

“Mbrëmë vërshimet e mëdha uji erdh nga lart në shtëpitë tona, edhe në kanal, dhe u zu kanali dhe rrëzoj murin, u bë si liqe, na rrëzoj atë murin atje, na hyri në bodrume dhe si e shihni dëme plot”.

“Dëme, gjithë murin ma ka rrëzuar, edhe një shtëpizë, një frigorifer, një makinë për tesha, jo në brendësi nuk ka hyrë vetëm shtëpizën këtu dhe ata që i kemi pas në shtëpi, nuk kisha ku të shkoj por ra muri dhe shtëpia fortë dhe fat nuk hyri brenda”.

“Dera ka qenë e mbyllur, unë lart, çatia pikonte, kur hyra ishte mbushë me ujë edhe jashtë edhe këtu, e kemi nxjerrë me kova s’di sa kova ujë kemi nxjerrë! Po tani s’ka dëme ujë që ka hyrë po s’dimë çka do dalë ose dyshemeje ose ka rënë shumë shi, ka lagur çatinë, muret”.

Kryetari i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri thotë se ekipet e komunës kanë dalë në terren që mbrëmë, ndërsa sot komisioni po vlerëson dëmet.

“Në fillimet e para u morën hapa e drejtpërdrejta për të konstatuar objekte e banimit që ishte futur uji nga vërshimi edhe falë ekipeve të zjarrfikësve në ato shtëpi banuese tërhoqëm ujin edhe pjesa tjetër mbetët për të pastruar. Gati 10 shtëpi janë në Tearcë edhe po aq thuajse janë në Neproshten. Pika kritike ka qenë tek lumi në Neproshten ku arritëm me mjetet tona rrethanore që kemi në dispozicion të shmanget rrjedhja jashtë shtratit të lumit në Neproshten që arritëm ta sanojmë me sukses”, tha Neziri.

Vërshime të këtilla sipas banorëve ka pasur vetëm në vitin 1968. Shprehen se sistemi i kanaleve të ujit në këtë vendbanim duhet të mirëmbahet më mirë, që të mos përsëriten ngjarje të këtilla. Shi edhe breshër ka rënë edhe në Tetovë, po përpos bllokimit të disa nënkalimeve, nuk është paraqitur ndonjë dëm më serioz./21Media

Back to top button