Konjufca uron Nikollën, e fton për vizitë në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar Lindita Nikollën, për zgjedhjen e saj në krye të Kuvendit të Shqipërisë dhe njëherësh e ka ftuar atë për vizitë zyrtare në Kosovë.
“Duke ndjekur prioritetet e institucioneve të reja në Shqipëri, të cilat nuk kanë shumë dallim nga ato në Kosovë e që lidhen me tejkalimin e krizës së shkaktuar nga pandemia, luftimin pa kompromis të krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik, modernizimin shoqëror dhe integrimin evropian, shoh mundësi e potencial të gjerë bashkëpunimi mes dy parlamenteve, dhe më gjerësisht dy shteteve tona në mënyrë që t’i përshpejtojmë këto procese e të dalim sa më të suksesshëm prej tyre”, thuhet në telegram.
Konjufca e siguroi homologen e tij se do të ketë gjithnjë gatishmëri për bashkëpunim.
“Jam besimplotë se nën drejtimin tuaj marrëdhëniet mes dy shteteve bija të të njëjtit komb, do të shtohen e shpeshtohen, dhe bashkëpunimi ndërinstitucional do të përparojë edhe drejt projekteve që rrisin sigurinë, mirëqenien dhe potencialin e shqiptarëve në rajon. Me urimet më të mira për suksesin tuaj, dhe me ftesën që të na vizitioni, ju lus t’i pranoni konsideratat më të larta! “, thuhet ndër të tjera në telegram./21Media

Back to top button