​Konkluzionet e “Kuvendi gjithëserb” konsiderohen kontradiktore dhe paradoksale

“Kuvendi gjithëserb” dhe deklarata që doli nga ky takim i mbajtur të shtunën në Beograd, po konsiderohet kontradiktore dhe paradoksale. Në këtë deklaratë thuhet se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, për çka analistët politikë konsiderojnë se tashmë Kosova është njohur de-facto. Takimi i së shtunës, po ashtu vlerësohet se ka për synim krijimin e Serbisë së madhe, ku aty përfshihet veriu i Kosovës.

Deklarata për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serbe është miratuar të shtunën nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje – Hercegovinës, Republika Srpska. Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit “Kuvend gjithëserb”.

Analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni thotë se nuk duhet t’i kushtohet vëmendje Serbisë dhe se nënshkrimi i kësaj deklarate është veprim i pritur.

“Ky ka qenë një veprim i shumë pritur nga ana e Serbisë, e para për të treguar pozicionin e të gjithë botës serbe që ata e kanë shpalosur tashmë si ideologji por edhe për trasuar rrugën për të ardhme të ideologjisë së tyre. Kuptohet që gjenden në vështirësi shumë të mëdha sepse Mali i Zi është vendi i NATO-s, Kosova mbikëqyret nga NATO, e vetmja hallkë e dobët është deklarata e Bosnje-Hercegovinës për Republikën Srpska. Në një mënyrë Serbia thjesht ka fituar kohë për të treguar që ata tashmë kanë një qasje ideologjike të para sllavizmit. Në qoftë se më pyesni për punën e Kosovës në këtë moment, unë do të thoja se Kosova duhet të jetë indiferente. E para se Kosova është një realitet dhe Serbia e ka njohur de-facto Kosovën, madje kjo është nga kritikat më të mëdha që i bën opozita serbe zotëri Vuçiq që ai me vendimet që ka ndërmarrë e ka njohur de-facto Kosovën”, deklaron ai.

Analisti serb, Branisllav Kërstiq deklaron se Serbia e ka humbur Kosovën nga momenti kur para 25 vitesh komandantët e NATO-s, patën dhënë afat prej gjysmë ore oficerëve të policisë dhe ushtrisë serbe që të largohen nga Kosova.

“Nëse flasim për deklaratën sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë, mua më duket se është kontradiktore dhe paradoksale, sepse sipas aneksit të Ohrit, Vuçiq e ka pranuar de jure pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër nëse flasim për një shqetësim të mundshëm në rajon, kjo nuk ka lidhje, sepse komuniteti serb e kupton që kjo është vetëm për interesa politike të brendshme. E dimë se në Beograd, ekzistojnë akoma grupe tepër serioze pro radikale, pro serbe, pro patriote, të cilat janë të kontrolluara nga Aleksandar Vuçiq. Dhe më duket se ky ishte mesazhi i këtij takimi… Brenda komunitetit serb askush nuk beson se Vuçiq është duke mbrojtur interesat e komunitetit serb në Ballkan. Ne e dimë se ai është duke bërë gjëra të cilat janë kundër interesave nacionale dhe në këtë drejtim jam i sigurt se në Kosovë askush nuk ka arsye të jetë i shqetësuar. Ajo ishte një deklaratë për përdorim të brendshëm, për trupin elektoral i cili duhet të jetë i kontrolluar nga ai njeri dhe në fund e tërë kjo shpjegohet vetëm me dy fjalë, shfaqje e lojës… Rusia nuk ka gisht këtu, sepse më duket se kjo është gënjeshtra më e madhe historike në Ballkan, besimi dhe lidhja politike me Rusinë”, thekson Kërstiq.

Ndërkaq, analisti politik Arbnor Sadiku konsideron se skena politike shqiptare në ballkan është e përçarë.

“Shqiptarët gjithmonë duhet të jenë sy-hapur, në kuptimin që jo vetëm ajo mbledhi që ishte e organizuar nga presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe e mbështetur nga Dodik si shefi i serbëve të Bosnjës, dihet që serbët e kanë synim krijimin e Serbisë të mëdha, ku aty përfshihet veriu i Kosovës dhe natyrisht ne duhet të jemi sy-hapur që në asnjë formë të mos jemi të koordinuar. Vet fakti që serbët po shihet që tashmë e kanë një koordinim të plot mes tyre për agjendën e tyre kombëtare, si duket shqiptarët janë të pakoordinuar për vet faktin që ne nuk kemi një takim mes dy kryeministrave shqiptar, madje kemi edhe refuzim që të takohen me liderët e shqiptarëve të Maqedonisë, zotëri Ali Ahmeti. Sic po shihet skena politike shqiptare në ballkan është e përçarë, kurse ajo serbe është e unifikuar dhe i kontrollon tërësisht presidenti Vuçiq”, thekson ai.

Për konkluzionet e miratuara në të ashtuquajturën asamble gjithëserbe në Beograd, ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Sarajevë, duke i cilësuar këto konkluzione si sulm ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe institucioneve shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës.

“Konkluzionet nuk paraqesin mbrojtje të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, siç pretendojnë autorët, por janë një sulm i qëllimshëm ndaj asaj marrëveshjeje dhe institucioneve shtetërore të Bosnjë Hercegovinës”, thuhet në deklaratë.

Ambasada amerikane tërheq vërejtjen se “konkluzionet e parlamentit gjithëserb”, të cilat i referohen Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe shtetit të pavarur të BeH janë të rrënjosura në dezinformimin ligjor dhe të mbushura me gabime.

“Deklaratat publike të zyrtarëve të Republikës Serbe, veçanërisht të presidentit të RS Milorad Dodik dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtare të RS Nenad Stevandiq, në lidhje me konkluzionet dhe planet për ‘ndarjen’ e RS, (që është) një emër tjetër për shkëputjen, paraqesin një sulm ndaj Dejtonit dhe ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe karakterit multietnik të BeH”, thuhet tutje në deklaratë.

Rrëshqitje dheu në aksin Elbasan-Qafë Thanë, thirrje drejtuesve për kujdes të shtuarAmbasada amerikan tha se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe Kushtetuta shprehimisht se BeH është shteti pasardhës i Republikës së BeH me strukturën e saj të brendshme, të modifikuar, në mënyrë që të përbëhet nga dy entitete.

“As Dejtoni dhe as Kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës nuk u japin entiteteve apo ndonjë organi tjetër nën-shtetëror të drejtën e shkëputjes apo ndonjë sinonimi tjetër të ngathët për shkëputjen e shpikur nga zyrtarët e RS-së”, deklaroi ambasada.

Ambasada amerikane në Sarajevë tha se Republika Serbe nuk është shtet dhe se ajo mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnjë-Hercegovinës.

“Ajo (Republika Serbe) nuk ka personalitet juridik jashtë BeH. Planet dhe veprimet e Dodikut rrezikojnë të ardhmen paqësore, demokratike dhe të begatë në institucionet euroatlantike që qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, përfshirë banorët e RS-së, duan dhe meritojnë”, përfundoi ambasada amerikane.

Pas nënshkrimit të kësaj deklarate, kanë reaguar edhe partitë opozitare në Kosovë, duke thënë se është një bombë që mund të shpërthejë në çdo kohë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një reagimi gjatë së dielës u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të marrin seriozisht përpjekjet e Beogradit për ta minuar fqinjësinë në mes shteteve të rajonit.

“Ftojmë miqtë e Kosovës, që kanë dhënë shumë për lirinë e saj, t`i marrin seriozisht këto përpjekje të Beogradit zyrtar për minimin e fqinjësisë në mes shteteve në rajon dhe defunksionalizimin e arritjeve politike në të mirë të demokracisë në këto 30 viteve të fundit. Alarmi i djeshëm në Beograd, për ne që i njohim shpërthimet e tyre fashiste në vazhdimësi, është kurdosje e një bombe që mund të shpërthej në çdo çast!”, është thënë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për këtë takim ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i cili ka thënë se është një provokim i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm dhe të fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Organet ndërkombëtare, si BE, SHBA dhe NATO, duhet të dënojnë këtë deklaratë dhe të bëjnë presion mbi Serbinë dhe Republikën Srpska për të respektuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës. Nevoja për reagim ndërkombëtar është urgjente për të siguruar që paqja dhe stabiliteti të mos vihet në rrezik dhe për të garantuar se integriteti territorial i Kosovës respektohet plotësisht”, ka shkruar ai.

Të tilla deklarata edhe sipas Besnik Tahirit të AAK-së, bien ndesh me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor.

“Deklarata e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb” ku përmendet që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, vërtetojnë mendësinë millosheviqiane, e cila rezultoi me disa lufta në Ballkan, gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Deklarata të tilla bie ndesh edhe me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor dhe me Marrëveshjen e Dejtonit”, ka thënë Tahiri.

Takimi “gjithëserb” në Ballkan i mbajtur të shtunën në Beograd, ku përveç Aleksandar Vuçiq, Milorad Dodik e përfaqësuesve serb të Serbisë, morën pjesë edhe përfaqësues të serbëve nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Aty u miratua deklarata për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike për të ardhmen e përbashkët të popullit serb. Kjo deklaratë, e cila në thelb tenton të mënjanojë organizmat ndërkombëtarë, përbëhet nga 49 pika, në të cilat veç tjerash, thuhet se populli serb përfaqëson një entitet unik, se emri i kombit është një dhe se është e pamundur të ndryshohet.

Deklarata e miratuar flet për Kosovën për të cilën thuhet se është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, pastaj detyrimin për të respektuar rezolutën 1244, por edhe për dialogun si mënyrë thelbësore për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë./kp

Back to top button