Konstatohet dorëheqja e Zaevit! Opozita me duartrokitje, dështon seanca për pyetje deputetësh

Derisa Talat Xhaferi e konstatonte dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, opozita duartrokiste. Xhaferi nuk mundi t’i qetësojë.
“Konstatoj se mbi bazë të Nenit 220 të Rregullores së Kuvendit, kryetarit të Qeverisë dhe Qeverisë u ndërpritet mandati. Është evidente se atë që nuk e arritët me 61 vota, tani duartrokisni sepse dha dorëheqje”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Seanca e sotme ishte paraparë për pyetje deputetësh, por për shkak se dorëheqja e Zaevit ishte konstatuar, e me këtë edhe e gjithë Qeveria është në dorëheqje, seanca nuk u mbajt. Në seancë nuk morën pjesë as ministrat, e as kryeministri. Opozita doli me reagim të ashpër për shkak të, siç thanë, pamundësisë t’i parashtrojnë pyetje e tyre. Qeveria është në dorëheqje, por funksionon deri në zgjedhjen të Qeverisë së re.
“Për fat të keq nuk mund të them të nderuar përfaqësues të Qeverisë, sepse sot këtu nuk kemi përfaqësues të Qeverisë. Në të drejtë ekziston një institut – Qeveri në dorëheqje. Kërkesa ime procedurale është në pjesën të cilën planifikoni ta bëni sot. Kryetar, sot keni thirrur 4 seanca në të cilat duhet të vijnë dhe të marrin pjesë të njëjtët ministra të shumicës qeverisëse të cilëve sot ju ua ndaluat të marrin pjesë. Ky është një skandal, sepse nuk mund të marrin pjesë në pyetjet deputetësh”, tha Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.
Kur Qeveria është në dorëheqje, ajo funksionon, por vetëm teknikisht, u përgjigj Xhaferi.
“Qeveria së cilës i ndërpritet mandati pas dorëheqjes së kryeministrit në pajtueshmëri me Nenin 93 të Kushtetutës, ka për detyrë të vazhdojë të punojë teknikisht deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Asnjëherë nuk ka ndodhur t’i parashtrohen pyetje deputetësh Qeverisë e cila ka dhënë dorëheqje”.
Reagim edhe nga Aleanca për shqiptarët. Thonë se dorëheqja është e vonuar dhe se Zaevi ka ikur nga pyetjet deputetësh.
Mes tjerash, në seancën e sotme ishte konstatuar edhe dorëheqja e deputetit të Besës, Fadil Zendeli nga posti – nënkryetar i Kuvendit. Pas largimit të Besës nga pushteti, gjatë negociatave Zaevi dhe Gashi u morën vesh që ky funksion t’i takojë deputetit të Alternativës, Hysni Ismaili./TV21

Back to top button