Konsultimet politike mes ministrive të jashtme të Kosovës dhe Kroacisë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ajo e Kroacisë kanë mbajtur sot gjatë ditës konsultimet politike, të cilat janë udhëhequr nga Zëvendësministri, Kreshnik Ahmeti dhe Drejtori i Përgjithshëm, Stribor Kikerec.

MPJD ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar lidhur me ngritjen e mëtutjeshme të marrëdhënieve dypalëshe, për përfundimin e marrëveshjeve, të cilat aktualisht janë në proces dhe nëpërmjet të cilave do t’i forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet në fushat e diplomacisë, ekonomisë, arsimit, kulturës e sigurisë, shkruan rtv21.tv.

“Konsultimet u fokusuan në bashkëpunimin shumëpalësh midis dy vendeve, si dhe procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës. Me këtë rast, zëvendësministri Ahmeti falënderoi Republikën e Kroacisë për mbështetjen e tyre të përhershme në zgjerimin e pranisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, ka shkruar MPJD-në “Facebook”.

Në takim gjithashtu u diskutua edhe për zhvillimet e fundit rajonale dhe botërore ishin temë tjetër, ku u diskutua për ndikimin e tyre në rajonin e Evropës Juglindore, veçanërisht në aspektin e sigurisë.

“Zëvendësministri Ahmeti theksoi se Republika e Kosovës ka adoptuar të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Ai theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qëndruar krah shteteve demokratike për të kontribuar në paqen rajonale dhe botërore, thuhet tutje në postim.

Palët përmbyllën konsultimet politike me pajtimin që të njëjtat të mbahen rregullisht në baza vjetore./21Media

Back to top button