Kontrabandonin mallra përmes rrugëve ilegale, arrestohen dy shtetas të Serbisë

Dy persona, shtetas të Serbisë janë arrestuar sot në fshatin Koshuticë, komuna Leposaviq, sepse dyshohet se përmes rrugëve ilegale me automjete kishin hyrë në territorin e Kosovës nga territori i Serbisë duke kontrabanduar mallra të ndryshme.
“Me datën 11.10.2022, rreth orës 05:30, Policia e Kosovës, konkretisht njësitë policore kufitare nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Veriu”, në fshatin Koshuticë, komuna Leposaviq, kanë ndaluar dy automjete, të cilat drejtoheshin nga dy vozitës të dyshuar meshkuj shtetas të Serbisë. Në njërin nga automjetet kishte të ngarkuar mall të kontrabanduar produkte të qumështit dhe miellit, ndërsa, në automjetin tjetër kishte farmerka, kërpudha dhe gazeta të mediave të shkruara të Serbisë.”, ka informuar Policia.
Lidhur me këtë, sipas Policisë, është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij janë iniciuar dy raste “Kalim i paautorizuar i vijës kufitare apo vendkalimeve kufitare” dhe ”kontrabandim me mall”.
Malli dhe automjetet, sipas PK-së, janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore./21Media

Back to top button