Konventa për Personat me Aftësi të Kufizuara bëhet e obligueshme për Kosovën

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur pro kërkesës së parashtruar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ku listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

“Gjykata, njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që (ii) amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Sipas Kushtetueses, kërkesa është parashtruar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe është dorëzuar në Gjykatë, më 21 dhjetor 2022, bazuar në paragrafin 9 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sipas të cilit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara për vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar kushtetues i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.

 

 

Back to top button