Kooperativa “Krusha”- model i organizimit dhe punësimit të grave
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka vizituar Kooperativën Bujqësore të Grave “Krusha”, ku pronares Fahrije Hoti, i ka shprehur respektin për punën e palodhshme dhe i ka ofruar mbështetjen e Qeverisë për avancimin e punës në këtë kooperativë.
Siç ka informuar zyra e kryeministrit, Hoti ka deklaruar se kooperativa e zonjës Fahrije është model i organizimit dhe punësimit të grave, si dhe të gjenerimit të të ardhurave për familjet e tyre.
“Sivjet ka qenë vit i vështirë për të gjithë pa përjashtim, edhe për prodhuesit bujqësorë, si dhe për të gjitha gratë që punojnë këtu. Do t’iu qëndrojmë afër. Siç e dini, ne kemi një pako të rimëkëmbjes ekonomike dhe në kuadër të saj një masë të veçantë për mbështetjen e grave në biznes”, është shprehur Hoti.
Ai ka shtuar se pavarësisht zhvillimeve të fundit politike që kanë ndodhur, Qeveria do të vazhdojë me zbatimin e kësaj pakoje dhe me mbështetjen e grave në biznes.
“Kryeministri Hoti, nënvizoi se pjesën e parë të kësaj mbështetjeje e kanë mbyllur me ndihmën për 100 çerdhe private në mbarë Kosovën, që janë biznese të udhëhequra nga gratë dhe punësojnë gra. Ndërsa, në pjesën e dytë do të mbështesin drejtpërdrejtë gratë që janë të përfshira në biznes si pronare ose si të punësuara gra, para së gjithash këtë kooperativë.”, është bërë e ditur në komunikatë./21Media