Bajrami ftoi deputetët që ta votojnë edhe në lexim të dytë projektligjin e buxhetit

 

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami sonte i ftoi deputetët që në seancën e nesërme ta votojnë edhe në lexim të dytë projektligjin e buxhetit për vitin 2021.

Bajrami përmes një shkrimi falënderoi deputetët që sot miratuan në lexim të parë projektligjin e buxhetit 2021.

“Dëshiroj të falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që treguan përgjegjësi të lartë institucionale përmes votimit të këtij projektligji të rëndësishëm duke evituar kështu një krizë të panevojshme buxhetore për vitin që po hyjmë.

Lajmi tjetër i mirë nga seanca e sotme është edhe miratimi i dy projekligjeve të rëndësishme, si: Projektligji Nr. 07/L-035 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Projekligji Nr. 07/L-036 për Ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.”, shkroi Bajrami në facebook.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 64 vota për sot miratuan në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2021. Ndërkohë, u miratua propozimi që nesër në orën 14:00, Kuvendi të mblidhet për ta miratuar të njëjtin në lexim të dytë.  Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021, pritet të jetë mbi 2 miliardë e 400 milionë euro./21Media

Back to top button