Koreja e Veriut arreston një shtetas amerikan që hyri nga Koreja e Jugut pa autorizim

Një shtetas amerikan është arrestuar nga Koreja e Veriut, pasi kaloi kufirin shumë të fortifikuar nga Koreja e Jugut në Korenë e Veriut.
Kjo u bë e ditur nga komanda e OKB-së e udhëhequr nga Amerika që mbikëqyr zonën.
Shtetasi amerikan ishte në një turne në fshatin kufitar Panmunjom dhe kaloi në Korenë e Veriut pa autorizim. Komanda e OKB-së tha se i njëjti tashmë është në paraburgim të Koresë së Veriut dhe se ata po punojnë me homologët e tyre koreano-veriorë për të zgjidhur incidentin.
Rastet e amerikanëve ose koreano-jugorëve hyjnë në Korenë e Veriut janë të rralla, megjithëse më shumë se 30,000 koreano-veriorë kanë ikur në Korenë e Jugut për të shmangur shtypjen politike dhe vështirësitë ekonomike që nga fundi i luftës së Koresë në vitet 1950-1953.
Panmunjom, i vendosur brenda zonës së çmilitarizuar, u krijua në fund të luftës koreane. Aty kanë ndodhur herë pas here gjakderdhje dhe të shtëna me armë, por ka qenë gjithashtu një vend për bisedime të shumta dhe një pikë e njohur turistike.
Zona mbikëqyret bashkërisht nga Komanda e OKB-së dhe Koreja e Veriut, shkruan Guardian, përcjell rtv21.tv.
Në nëntor 2017, ushtarët e Koresë së Veriut qëlluan me 40 plumba teksa një nga kolegët e tyre vraponte drejt lirisë. Ushtari u godit pesë herë para se të gjendej nën një grumbull gjethesh në anën jugore të Panmunjom. Ai mbijetoi dhe tani ndodhet në Korenë e Jugut. /21Media