Koreja e Veriut teston me sukses një raketë të re me rreze të mesme veprimi

Koreja e Veriut ka pretenduar se ka lëshuar një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi me një kokë hipersonike e cila “do të përmbajë me siguri çdo rival në rajonin e Paqësorit”.
Nisja të hënën – e para e Phenianit në dy muaj – erdhi ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken ishte në Seul për bisedime me disa nga udhëheqësit kryesorë të Koresë së Jugut.
Armët hipersonike janë më të vështira për t’u gjurmuar dhe rrëzuar.
Koreja e Veriut pretendon se raketa e tyre fluturoi 12 herë më shumë se shpejtësia e zërit, për rreth 1500 km.
Ushtria e Koresë së Jugut më herët tha se raketa fluturoi 1,100 km përpara se të binte në det, duke shtuar se “dënon fuqishëm” këtë “akt të qartë provokimi”.
Koreja e Veriut ka testuar më parë raketa hipersonike. Fotot e publikuara nga KCNA treguan se raketa e së hënës i ngjante asaj që u lëshua në prill të vitit të kaluar.
Por Pheniani pretendon se raketa e saj e re hipersonike përmban një “sistem të ri të kontrollit të fluturimit dhe drejtimit” dhe një motor të ri të bërë nga fibra karboni.
Udhëheqësi i vendit Kim Jong Un tha se nisja e së hënës “u tregoi qartë rivalëve atë që po bëjmë dhe se ne jemi plotësisht të gatshëm të përdorim çdo mjet për të mbrojtur interesat tona legjitime”, tha të martën agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Ankit Panda, një specialiste e armëve bërthamore në Carnegie Endowment for International Peace, tha se lëshimi i një arme të re nuk është “e papritur”.
“Ne e dimë se Koreja e Veriut ka punuar me materiale të përbëra për përdorim në raketa për disa vite tani./21Media