Kosnet: Konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme

Ambasadori Amerikan, ka thënë se SHBA-ja është e përkushtuar që të ketë rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit.

Ambasadori i ri i SHBA-ve ka një mesazh të qartë: Amerika do zyrtarët e korruptuar në burg
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një video disa minutëshe, ka dhënë porosi të ashpra kundër zyrtarëve publik të përfshirë në korrupsion.

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”, Ambasadori Amerikan, ka thënë se SHBA-ja është e përkushtuar që të ketë rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit.

“Ligjet e mira dhe procesi më transparent janë të rëndësishme, por nuk mjafton ti keni sistemet në letër nëse ato nuk zbatohen me ndershmëri, plotësisht dhe në mënyrë të vijueshme”, ka thënë Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett.

Kosnett thotë se qytetarët e Kosovës duhet të shohin që ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe që ai përdoret për të ndëshkuar sjelljen korruptuese, veçanërisht kur kryesit janë zyrtarë qeveritarë dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt.

Ambasadori ka theksuar se përtej mesazheve për llogaridhënie në Kosovë, duhet të këtë veprime konkrete. Ka përmendur dënimin e zyrtarëve të korruptuar dhe konfiskimin e pasurisë se krijuar përmes korrupsionit.

“Ju nxis që të shikoni përtej interesave personale dhe ta kërkoni me ngulm drejtësinë dhe llogaridhënien që qytetarët e dëshirojnë dhe e meritojnë. Llogaridhënie do të thotë shkelësit e ligjit në burg; konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet”, thekson Kosnett.
“Java Kundër Korrupsionit 2018” nis të dielën,ku koalicioni i OJQ-ve, do të mbajnë takim me redaktorët e mediave, të cilëve do tu shpaloset agjenda e detajuar e aktiviteteve të kësaj jave.

Back to top button