Kosova dhe Zvicra me bashkëpunim për menaxhimin e ujërave

 

Kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly,nënshkruajtën memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e Këshillit Ndërministror për Ujëra. Memorandumi i bashkëpunimit ka për qëllim krijimin e një kornize të favorshme ligjore, struktura për menaxhim afatgjatë dhe marrëdhënie funksionale ndërmjet hisedarëve dhe institucioneve për të promovuar bashkëpunimin dhe reformat në sektorin e ujërave dhe për të siguruar cilësi të lartë të shërbimeve për të gjithë sektorët e popullatës.

Ndikimi i kësaj mbështetjeje do të rris qasjen për popullatën e Kosovës në burime ujore (të planifikuar, rregulluar dhe mbikëqyrur) mbarështetërore dhe menaxhim të burimeve ujore (furnizim me ujë, kanalizime dhe ujitje).

Para nënshkrimit të memorandumit, kryeministri Kurti dhe ambasadori Kolly patën një bisedë të gjatë, ku ambasadori Kolly ritheksoi mbështetjen e Zvicrës për Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit.

Kryeministri vlerësoi lart qasjen unike të Zvicrës në mesin e donatorëve për të zhvilluar sektorin nga niveli rural tek ndërmarrjet publike, tek institucionet dhe politikbërja përmes Këshillit Ndërministror për Ujëra.

Në takim u bisedua për përkushtimin e dy ministrave, Liburn Aliu dhe Artane Rizvanolli, në aspektin mjedisor dhe ekonomik të resurseve ujore, duke u angazhuar në kthimin dhe forcimin e ligjshmërisë, në mbrojtjen e resurseve ujore por edhe në performancën e kompanive rajonale të ujësjellësve dhe bordeve të tyre./21Media

 

Back to top button