Kaloni te përmbajtja kryesore

Kosova e hapur ndaj investimeve austriake

Austria do të vazhdojë të jetë partnerë i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës edhe në të ardhmen

Këtë mbështetje për Kosovën e ka dhënë delegacioni nga Oda Ekonomike Federale e Austrisë, i kryesuar nga Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, në takimin që janë pritur nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj e quajti rast të veçantë vizitën dhe mundësi të mirë për të diskutuar në nivel bilateral për ekonominë në të gjitha nivelet e saja.

“Kosova është një vend i mundësive të mëdha për të investuar. Ne kemi resurset më të mira njerëzore dhe ambient të përshtatshëm që investitorët austriakë të ndjehen të sigurt dhe investimet e tyre të jenë të garantuara. Qeveria ka shpallë prioritetet e saja, ku zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës janë agjendë ditore”, tha Kryeministri Haradinaj.

Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, falënderoi Kryeministrin Haradinaj për pritjen e këtij delegacioni, duke thënë se kjo tregon gatishmërinë e Kryeministrit që të shtyjë përpara agjendën ekonomike të vendit.

Në takim u përmend roli i Austrisë në Kosovë në fushën ekonomike, ku deri tani mbi 100 kompani të këtij vendi janë angazhuar në projekte konkrete dhe se falë këtij bashkëpunimi çdo ditë e më shumë po rritet numri i kompanive kosovare që eksportojnë në vendet si Austria, Gjermania dhe Zvicra.

Kryeministri Haradinaj shprehi gatishmërinë e Qeverisë për të ruajtur marrëdhëniet bilaterale me Austrinë dhe për të shtuar bashkëpunimin në fusha konkrete, aty ku tregu i Kosovës ka më shumë nevojë si dhe përkushtimin që të krijohen kushte sa më të mira legjislative dhe administrative për investitorët austriakë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button