Kosova e paraburgos gruan që u dënua me 12 vjet burgim në Norvegji

Është caktuar masa e paraburgimit, në pritje të ekstradimit ndaj të pandehurës SH.T, e kërkuar nga shteti norvegjez përmes INTERPOL-it për ekzekutim të dënimit të plotfuqishëm të shqiptuar nga gjykata e Norvegjisë. Kështu ka informuar sot Gjykata Themelore në Pejë, e cila ka bërë të ditur se e pandehura në vitin 2003 është dënuar nga gjykata e Norvegjisë me dymbëdhjetë 12 vjet burgim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit në pritje të ekstradimit ndaj të pandehurës SH.T, konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, meqë njoftimet e Interpolit tregojnë se e pandehura në vitin 2003 është dënuar nga gjykata e shtetit të Norvegjisë me dymbëdhjetë (12) vjet burgim dhe dyzetmijë (40.000) NOK për veprën penale trafikim me lëndë narkotike nga neni 162 par.1 dhe 3 të Kodit Penal Norvegjez dhe e njëjta që nga ajo kohë është arratisur nga Norvegjia me qëllim që t’i shmanget ekzekutimit të dënimit, ashtu që gjykata ka vlerësuar se me gjetjen e saj në liri, mundësia e arratisjes është më se evidente dhe e mundshme andaj, të njëjtës iu caktua masa e paraburgimit në pritje të realizimit të procedurave të mëtejme të ekstradimit të saj në Norvegji, për ekzekutim të dënimit me burgim.”, ka informuar Gjykata e Pejës.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media

Back to top button