”Kosova është në rrugë të drejtë për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka ardhur sot në Kosovë, ka mbajtur një takim me studentë të Universitetit të Prishtinës.
Rama gjatë bashkëbisedimit ka përmendur se Kosova është në rrugë të drejtë për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat.
Rama ka legjitimuar dhe dërgimin e forcave speciale të veri në nisje të zbatimit të reciprocitetit por nënvizoi se çdo zgjatje e qëndrimit të tyre do të kthehej në boomerang për Kosovën njësoj si me tarifën 100%.
Shefi qeverisë shqiptare ka bërë të qartë se pavarësisht pretendimeve të Serbisë, serbët e Kosovës nuk po kërcënohen nga askush, përkundrazi janë ndër pakicat kombëtare më të përkëdhelura.
”Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarët serbë të Kosovës ndërkohë që faktikisht këtu është shumë e qartë që serbët e Kosovës jo vetëm nuk kërcënohen nga askush dhe për asgjë por janë pakica kombëtare nga më të përkëdhelurat dhe me të drejtë mendoj unë dhe kjo e bën Kosovën një nga shembujt më të shkëlqyeshëm sesi duhet trajtuar një pakicë kombëtare pavarësisht se unë nuk e kuptoj dot  sesi mund ti  paguhen dhe faturat e dritave, është përtej. Por fakt është se nuk kërcënohen nga shteti i Kosovës, qeveria e Kosovës, policia e Kosovës”, ka thënë Rama.
Sipas Ramës, serbët janë peng i një dialogu që ka mbetur rrugëve.
”Ata janë pengje të një dialogu të mbetur rrugëve dhe të moszgjidhjes përfundimtare të çështjes, ato manovrat teatrale me helikopterë dhe avionë mund të sugjestionojnë opinionin publik serb që mbase ka nevojë të ushqehet me idenë që disponon mjete ushtarake për të mbrojtur vëllezërit që në fakt nuk kërcënohen asgjë, ose mund të sugjestinojnë njerëz këtu apo në botën shqiptare që shikojnë nga facebook vetëm luftë”, ka shtuar tutje Rama./21Media

Back to top button