Kosova fajëson Serbinë për moszbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit

Janë bërë më shumë se një vit që nga arritja e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit dhe ende nuk ka një zbatim të saj. Për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës fajëson Serbinë.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se Kosova është e angazhuar në zbatimin e plotë, të drejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve, por që Serbia është ajo e cila nuk ka gatishmëri.

“Që nga dakordimi ynë për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e saj ne kemi ofruar në pesë raste gatishmërinë tonë për nënshkrimin e tyre, nga Brukseli me 27 shkurt 2023 e deri në Neë York në 8 shkurt 2024. Kjo dëshmon qartë vullnetin tonë. Në secilin rast kemi hasur refuzimin e palës serbe. Kjo dëshmon qartë vullnetit e Serbisë. Ndërkohë që ajo vazhdimisht ka shkelur e minuar sa shkronjën dhe frymën Marrëveshjes Bazike deri në masën e refuzimit të saj përmes letrës së Kryeministres së Serbisë në dhjetor të vitit të kaluar. Arsyeja se pse po i përmendim këto është sepse për të ecur përpara konsiderojmë që duhet të evidentohet dhe thuhet qartë se kush na ka mbajtur prapa deri tash”.

Partia më e madhe opozitare, PDK-ja, ndërkaq, kritikon qeverinë se në heshtje po e zbaton këtë marrëveshje përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Me veprimet që po i bënë qeveria e Kosovës besoj se është duke i zbatuar të gjitha marrëveshjet e sidomos atë për themelimin e asociacionit qeveria në heshtje është duke i kryer detyrat e shtëpisë siç është çështja e dinarit…Derisa nga ana e Serbisë ka një refuzim për zbatimin e marrëveshjes se Brukselit dhe të Ohrit”, tha për rtv21, Rashit Qalaj i PDK-së.

Për ish-kryenegociatorin e Kosovës në Bruksel nga radhët e AAK-së, Avni Arifi, faji për moszbatim të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve është tek Serbia, megjithatë sipas tij, qeveria ka krijuar perceptimin se Kosova s’ka vullnet për zbatimin e saj.

“Faji është të Serbia sepse s’ka qenë kurrë e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje por rreth marrëveshjes është krijuar një situatë kaotike qeveria pretendon se Serbia është tërhequr nga marrëveshja, në serbi thonë që s’janë tërheq por vetëm nga disa pika të saj në Bruksel e Ëashington thonë se askush nuk është tërhequr nga asnjë marrëveshje pra është e domosdoshme një qartësim a ekziston kjo marrëveshje apo jo. Ma e rëndësishme është përceptimi që ka krijuar qeveria. Në Ëashington dhe në Bruksel ekziston bindje që Kosova nuk është e interesuar ta zbatojë pjesë të marrëveshjes … përderisa në të kaluarën gjithmonë akuzohej Serbia tashmë bashkësia ndërkombëtare po i bënë fajtor të dy palët”, tha Avni Arifi i AAK-së

SHBA-ja dhe BE-ja presin nga Kosova dhe Serbia zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes bazë dhe aneksit të saj, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe./ RTV21/21Media

Back to top button