Kosova hap negociatat për Marrëveshjen Ndërkombëtare për Tregti të Lirë me shtetet e EFTA-s

Republika e Kosovës dhe Shtetet anëtare të EFTA-s (Norvegjia, Zvicrra, Islanda dhe Lihtenshtajni,) janë takuar në Gjenevë për raundin e parë të negociatave drejt një marrëveshjeje të tregtisë së lirë.
Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Synimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është zgjerimi i mëtejshëm i prezencës së produkteve të Kosovës në tregjet e EFTA-s, krijimi i një ambienti konkurrues, eliminimi i barrierave tregtare me fokus te veçantë rritjen e eksporteve dhe investimeve.
“Palët negociuse diskutuan mbi tregtinë e mallrave, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, masat sanitare dhe fitosanitare, barrierat teknike në tregti, konkurrencën, mjetet juridike tregtare, çështjet ligjore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Ndërsa, investimet, shërbimet dhe prokurimet qeveritare u trajtuan në nivel të krerëve të delegacioneve dhe u pajtuan që po në këtë nivel të diskutohen përsëri në rundin e dytë të negociatave që do të mbahet në Republikën e Kosovës.”, thuhet në njoftim.
Ekipi neogciator i Kosovës është në përbërje prej Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në KIESA, Arjeta Shaqiri Latifi, shefe e kabinetit të Ministres Rozeta Hajdari dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Dogana e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kurse delegacioni i EFTA- kryesohet nga Karin Büchel, Ministre në Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës.
“Diskutimet ishin konstruktive dhe hapën rrugën për përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë reciprokisht të dobishme. Delegacionet u dakorduan për të mbajtur një raund të dytë të negociatave tregtare në Prishtinë deri në fund të vitit 2022.”, thuhet në njoftim.
Shkëmbimet tregtare me këto vende kanë shënuar rritje. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në vitin 2019 eksportet e Kosovës ishin 26.28 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 eksportet u rritën dukshëm, duke shënuar 52.09 milionë euro. Ndërsa sa i përket importeve nga shtetet EFTA-s, në vitin 2019 vlera e importeve ishte 33,86 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 ishte 35,6 milionë euro./21Media

Back to top button