Kosova i dërgon letër presidentit të Europa Nostra për Manastirin e Deçanit
Sot Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, së bashu me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i kanë dërguar letër Presidentit Ekzekutiv të Europa Nostra, Hermann Parzinger, në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me anë të një shkrimi në facebook, ku sipas tyre vendimi i Europa Nosta është vendim politik dhe kjo e fundit nuk ka qenë fare për ta vizituar Kosovën e Manastirin. Madje ata theksojnë se Manastiri i Deçanit dhe çdo kishë ortodokse në Kosovë gëzojnë nivelin më të lartë të sigurisë.
”Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës shprehim shqetësimin tonë për vendimin e Europa Nostra për të përfshirë Manastirin e Deçanit në listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë”. Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të Europa Nostra. Ne ju ftojmë të vizitoni Kosovën dhe shihni nga afër gjendjen e Manastirit të Deçanit. Gjatë marrjes së këtij vendimi keni neglizhuar një dimension esencial, konsultimet me palët e interesit, ndërsa keni marrë për bazë një tekst tendencioz dhe joprofesional të organizatës nominuese. Prandaj, ju ftojmë të vini dhe të bisedoni me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët”, thuhet në letrën e dërguar.
Në letër tutje është shkruar se ”Institucionet e Republikës së Kosovës janë instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale, ajo i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. Në këtë frymë, ju ftojmë për bashkëpunim parimor me synim mbrojtjen sa më efektive të trashëgimisë kulturore. Jemi kundër instrumentalizimit të trashëgimisë kulturore për përfitimet politike të njërit shtet apo tjetrit”.
Me këtë letër Ministrat ftuan organizatën Europa Nostra në Kosovë për ta parë nga afër monumentin dhe për të biseduar me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet e sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët.
Madje ata theksuan se dëmi që iu shkaktua reputacionit të Kosovës me këtë vendim të pabazuar duhet të kompensohet pa vonesë./21Media

