“Kosova ka nevojë urgjente për qeveri stabile”

Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, gjatë një takimi me ministren në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Gjermania mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të Kosovës

Roth deklaroi se shteti gjerman është i gatshëm të ofrojë mbështetje të mëtejshme për forcimin shtetëror të Kosovës.

Ai tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në BE është reale, sikurse edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ministri gjerman theksoi se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri stabile dhe evropiane për të çuar përpara reformat që në fund të përfitojnë njerëzit.

“Në fund të fundit, reforma nuk është një qëllim në vetvete, por është në interes të vendit, veçanërisht brezi i ri ka nevojë për perspektivë edhe në vendin e vet”, tha ministri Roth.

Nga ana e saj, ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve dhe falënderoi Gjermaninë për gjithë mbështetjen për krijimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, duke theksuar se Gjermania është një vend mik i Kosovës.

Tahiri shprehu bindjen se edhe qeveria e re që pritet të formohet, pas zgjedhjeve të sapo përfunduara në Kosovë, do të vazhdojë rrugën e jetësimit të vizionit euroatlantik, me prioritet për zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.

Tahiri po ashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Gjermanisë për Kosovën dhe agjendës euroatlantike të saj, me ç’rast theksoi se përshpejtimi i integrimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB është me interes për Kosovën dhe për stabilitetin në rajon.

Back to top button