Kosova ka sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese

Delegacioni i bizneseve amerikane vizitoi ministrin Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti sot delegacionin e bizneseve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kryesuar nga konsullja e Kosovës në SHBA, Teuta Sahatqija, me të cilët diskutoi rreth sektorit të teknologjisë informative dhe komunikimit (TIK), sektorit të energjisë dhe klimës të të bërit biznes në Kosovë.

Delegacioni i kryesuar nga Sahatqija u interesua rreth klimës së të bërit biznes në Kosovë dhe rreth projekteve në sektorin e TIK dhe atë të energjisë.

Ministri Lluka i informoi se Kosova ka një sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese, është një qendër lidhëse në Evropë dhe se Banka Botërore e ka cilësuar si vendin e dytë në rajon në raportin e të bërit biznes.

“Kosova ka një sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese, është vendi me borxhin më të vogël publik përshtatur GDP-së, është urë lidhëse me vendet e Evropës dhe ka qasje në tri porte detare, atë të Selanikut, Durrësit dhe të Malit të Zi. Në raportin e të bërit biznes Kosova radhitet e 40-ta në botë dhe e dyta në rajon”, u shpreh ministri Lluka, bëhet e ditur në komunikatën e ministrisë.

Sipas tij, sektori i TIK është i vetmi sektor në Kosovë i cili ka bilanc tregtar pozitiv dhe është sektor i cili u ka mundësuar të rinjve të vendit të punojnë për vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, është sektor në të cilin ka projekte të ndryshme dhe nga i cili gjenerojnë vende pune.

Kreu i MZHE-së delegacionin e bizneseve nga ShBA e informoi rreth “Tech Park Prishtina” dhe “Training and Innovation Park” në Prizren ku parashihet që të krijohen qendra për trajnime dhe qendra të ekselencës digjitale në të cilën do të trajnohen bizneset dhe të rinjtë e vendit.

Ndërsa, përfaqësuesit e delegacionit gjithashtu u interesuan rreth sektorit të energjisë, zhvillimeve dhe projekteve, të cilat janë duke u zhvilluar.

Ministri Lluka u shpreh se Kosova e ka synim  përmirësimin e gjendjes së furnizimit me energji elektrike dhe këtë e dëshmon fakti i nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë “Countur Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, si dhe rreth mënyrave të gjenerimit të energjisë nga mbeturinat./21Media

 

Back to top button