Kosova me pullë postare “Dua Lipa”

Pullat më të reja postare të Postës së Kosovës, me imazhin e këngëtares kosovare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, nga nesër do të udhëtojnë në të katër anët e botës.

Ky emision i pullave postare u promovua sot në Prishtinë. Në këtë ceremoni, siç u informua nga Posta e Kosovës, mori pjesë edhe artistja Dua Lipa.

UD Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu i dhuroi Dua Lipës pullat e para postare si dhe një pullë postare e punuar në pllakë bronzi. Po ashtu, edhe babait  të saj, Dukagjin Lipa.

“Dua është fituese e shumë çmimeve prestigjioze, por pulla postare me pamjen e saj është një mirënjohje unike dhe për këtë Posta e Kosovës është shumë krenare. Me talentin e saj, me paraqitjet e saj, ajo ka lartësuar emrin e Kosovës në tërë globin. Kudo ku është Dua Lipa aty është edhe Kosova. Faleminderit Dua!”, u shpreh Kadiu.

Ndërsa, Dua u shpreh e lumtur që u bë pjesë e thesarit të pullave postare.

“Është një ndër i madh për mua. Do të vazhdoj të punoj në çfarëdo mënyre që mundëm për ta  ngritur Kosovën sa më lartë”, tha ajo.

Artistja e njohur dje nga Presidentja Vjosa Osmani u nderua me me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës.
Dua Lipa, të entjen performoi në natën e parë të “Sunny Hill Festival”, me ç’rast, këndoi disa prej hiteve të saj.
Ndryshe, deri më 7 gusht në “Sunny Hill Festival”, që mbahet në Parkun e Gërmisë do të performojnë artistë të njohur vendor dhe ndërkombëtar./21Media

Back to top button