Kosova me sanksione të BE-së, rreth 300 milionë euro dëme

Kosova përcolli vitin 2024 nën masa ndëshkuese të BE-së të cilat i shkaktuan dëme rreth 300 milionë euro.
Komuna më e prekur nga këto masa vlerësohet të jetë Prishtina.
Shumë projekte të BE-së të parapara për infrastrukturë rrugore, menaxhim të mbeturinave, trajtimin e ujërave të zeza e të tjera mbetën të bllokuara për më shumë se një vit e gjysmë për shkak të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Në Asociacionin i Komunave të Kosovës thonë se komuna më e prekur nga këto masa është Prishtina.
“Nga këto masa komunat janë prekur drejtpërdrejt. Ka pasur projekte që kanë qenë të ndërlidhura për trajtimin e ujërave të zeza me menaxhimin e mbeturinave arsimin etj,, por për shkak të këtyre masave disa janë ndërprerë e disa s’kanë nisur fare. Për komunat është shumë me rendësi trajtimin e mbeturinave dhe ujerave të zeza. Kemi Komunën Prishtinës ku njëherë për njëherë fabrika për trajtimin e ujërave të zeza është ndalur për shkak të masave por edhe komuna të tjera të mëdha dhe të vogla ka pasur dëme”, ka thënë për rtv21 Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të komunave të Kosovës.
Oda Ekonomike e Kosovës ndërkaq vlerëson se si pasojë e masave të BE-së vendi u dëmtua si në aspektin e imazhit ashtu edhe në atë ekonomik.
“Dëmi ishte i madh si në aspektin e promovimit të investimeve për të sjell në Kosovë si dhe dëmi material…. Një vend që është nën sanksione nuk është motivuese për investitorët huaj që vijnë në një vend që është nën masa ndëshkuese. S’kemi pasur asnjë investim të madh brend i huaj këtë vit që ka ardhë në Kosovë për investim. Rreth 300 milionë janë projekte që janë bllokuar dhe nuk janë zbatuar për shkak të masave….kanë qenë të planifikuar atë jane projekte kapitale dhe kanë lënë gjurmë në ekonominë tonë”, ka thënë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomikë të Kosovës.
Bashkimi Evropian ka thënë se gradualisht do t’i heqë masat ndëshkuese paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri.
Por sipas Qeverisë së Kosovës, vendi tashmë ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për shtensionimin e gjendjes në veri të vendit duke kërkuar që ato të hiqen sa më parë.
“Ka kohë që nuk ka më asnjë arsye valide që masat të jenë në fuqi. Ne i bëjmë thirrje BE-së që të heq masat sa më parë dhe plotësisht, bazuar në situatën aktuale në terren dhe rekomandimit të ish Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell”, ka thënë për rtv21 Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë
Masat ndëshkuese BE-ja ia vendosi Kosovës në qershor të vitit të 2023 pas rritjes së tensioneve në veri të vendit./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?