Anëtarësim i Kosovës në KiE, Bakoyannis: Asnjë kandidati s’i janë kërkuar kaq shumë reforma

Deputetja greke, Dora Bakoyannis që përpiloi raportin pozitiv për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ka thënë se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në organizatë.

“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”, ka shkruar Bakoyannis në një artikull autorial për “European Western Balkans”.

Ajo tutje ka shtuar se për të ardhur tek opinioni pozitiv janë dashur 300 ditë,

“Për të ardhur tek opinioni pozitiv janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare. Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka shkruar Bakoyannis.

Bakoyannis ka shkruar për lidhjet e saj “speciale” me popullin serb. Duke mbrojtur raportin e vet me Serbinë, Bakoyannis ka thënë se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.

Bakoyannis ka përsëritur se në raport nuk ka dhënë qëndrim për shtetësinë e Kosovës duke thënë se po t’i kërkohej të shprehte mendim për shtetësinë, s’do ta kishte marrë përsipër përpilimin e raportit, pasi vjen nga Greqia që nuk e njeh Kosovën. Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb.

Bakoyannis ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për negocimin e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, më 2018.

 

Back to top button