Kosova në negociata me Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë për blerje të rrymës
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se janë në negociata për të blerë dhe këmbyer rrymë.
“Ne kemi pasur diskutime në nivel politik me Republikën e Maqedonisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Me Republikën e Maqedonisë dhe Bullgarinë janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë negociatat në nivel teknik të operatorëve për të marrë mundësitë qoftë për këmbim, apo blerje… Aktualisht nuk kemi (marrëveshje).. Jo nuk e kemi, siç e thash, Maqedonia ka qenë në negociata deri para disa ditësh, nuk e di nëse është përfunduar një marrëveshje e tillë”, ka thënë Rizvanolli gjatë një vizite në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Ndërsa kryetari i Bordit të KEK-ut, Skender Haziri ka njoftuar për hapjen e tenderit për qymyrin ku theksoi se janë hapur ofertat.
“Për aq sa kemi informata janë hapur ofertat. Është në proces të vlerësimit të ofertave. Vlera minimale e një ton qymyri, vlera prag në të cilën KEK-u pret të marrë është 30 euro për një ton. Ndërsa, kemi të bëjmë me një sasi prej 100 mijë tonëve që i bie që 3 milionë euro do të jetë përfitimi i KEK-ut, mirëpo cila do të jetë vlera të cilën kompania do ta fitojë, kjo do të varet prej procesit të vlerësimit”, ka thënë ai./21Media