Kosova nis përgatitjet për ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë

Kombëtarja e Kosovës ka filluar përgatitjet e para për dy ndeshjet e muajit qershor në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024 ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë.

Këto dy ndeshje cilësohen tejet të rëndësishme për ecurinë e “Dardanëve” në këtë raund kualifikues, prandaj fokusi i stafit teknik dhe i lojtarëve është për t’u përgatitur sa më mirë për to.

Në ditën e parë të stërvitjes ishin vetëm shtatë futbollistë, ku morën pjesë Arijanet Muric, Samir Ujkani, Visar Bekaj, Amir Rrahmani, Lirim Kastrati, Ermal Krasniqi dhe Betim Fazliji.

Pjesa tjetër e lojtarëve është paraparë që t’i bashkohen grumbullimit gjatë dy ditëve të ardhshme, më pas trajneri Alain Giresse do ta ketë skuadrën e kompletuar.

Stërvitja e sotme u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali nën reshjet e shiut, por pavarësisht këtij fakti dhe numrit të kufizuar, ajo u zhvillua për t’u shërbyer lojtarëve për rigjenerim, kryesisht me ushtrime fizike dhe vrapime të kombinuara.

Ndërkohë, nesër janë paraparë dy stërvitje, njëra në orët e paradites (10:30) dhe tjetra në orët e pasdites (17:00), po ashtu në Hajvali.

Back to top button