Me këto mjete do të investohet në energjetikë, ambient dhe sundim të ligjit

Me këto mjete do të investohet në energjetikë, ambient dhe sundim të ligjit

Bordi i Korporatës për Sfida të Mijëvjeçarit, që udhëhiqet nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson ka marrë vendimin për ndarjen e afër 50 milionë dollarë për programin “Threshold” në Kosovë. Ashtu siç thuhet në komunikatë, këto mjete do të investohen në vitet e ardhshme në projekte të efiçiencës energjetike, ambientit dhe sundimit të ligjit.

Sipas një komunikate për medie, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa me këtë rast deklaroi se “Ky është një lajm i shkëlqyeshëm për popullin e Kosovës. Qeveria e Kosovës me punë intensive dhe në bashkëpunim me ekspertët amerikanë ka arritur një shumë rekorde të dedikuar nga Agjencioni Federal MCC për programet “Threshold” kudo në botë, dhe se Kosova është falënderuese për përkrahje të vazhdueshme të Qeverisë dhe popullit amerikan për zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Mustafa më tutje vazhdoi se “fokusi i investimeve amerikane që tashmë dihet se do të arrijnë 50 milionë dollarë, do të jetë në fusha shumë të rëndësishme për zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik si dhe krijimin e vendeve të reja të punës në fusha deficitare si energjia e ripërtëritshme, teknologjia, etj.

Petrit Selimi, Koordinator Nacional i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit me këtë rast deklaroi se “vendimi i Bordit të MCC është një lajm i mirë për Kosovën, lajm i mirë për biznesin kosovar dhe për mijëra përfitues që do të përjetojnë impaktin e vërtetë të investimeve amerikane nga MCC.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ka kualifikuar vjet në dhjetor Kosovën për ndihma të programit “Threshold”. Qeveria e Kosovës ka themeluar njësitin e veçantë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për përpilimin e projekteve konform metodologjisë së përgatitur nga pala amerikane dhe tani pritet që Kosovës t’i derdhen 49.6 milionë dollarë mjete të pakthyeshme për të përforcuar reformat në fusha të rëndësishme si dhe për investime në projekte që përforcojnë kornizën energjetike të Kosovës, si dhe sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.