Kosova rrezikon rrugën integruese për shkak të Asociacionit

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës, Kryeministri, Albin Kurti, zhvilloi takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, i cili i ka ofruar Kosovës mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në rrugën integruese.
“Me kryetarin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtin diskutova për situatën në rajon. Ju përgëzojmë për heqjen e regjimit të vizave dhe shprehim mbështetjen tonë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe në rrugën drejt BE-së”, tha Plenkoviq.
Qeveria e Kosovës që në maj të vitit 2022 aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës duke kërkuar përkrahjen e vendeve të BE-së. Por, ish-ministrja e integrimeve evropiane, Mimoza Ahmetaj, vlerëson se pengesa kryesore për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të jetë mos themelimi i asociacionit, kërkesë kjo e BE-së dhe SHBA-së.
‘’Kur flitet për asociacionin ne flasim për të drejtat e komunitetit serb, dhe kur flitet për të drejtat e komuniteti serb flitet për të drejtat e njeriut gjë që është njëra ndër shtyllat kryesore të anëtarësimit të një shteti në Këshillin e Evropës”, tha Ahmetaj.
Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme nga VV, Gazmend Gjyshinca, thotë se Qeveria është e gatshme për zbatimin e zotimeve të saj që dalin nga marrëveshjet, por ka akuzuar Serbinë për qasje destruktive. Ai ka kritikuar pushtetet e kaluara në Kosovë, për siç tha, pranimin e marrëveshjeve të dëmshme siç është asociacioni.
‘’Kosova e ka thënë fjalën e saj për Asociacionin. Kosova respekton obligimet që dalin nga marrëveshjet. Nuk i ikim përgjegjësive që kemi marrë si shtet. Zbatimi i marrëveshjeve të kaluara i kontribuon procesit të dialogut. Kosova ka qenë konstruktive brenda dialogut. Marrëveshja i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Gjyshinca.
Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, shpreh shqetësim se rruga integruese e Kosovës është e pezulluar edhe për shkak të masave ndëshkuese të BE-së dhe heqja e tyre mund të zvarritet edhe për shkak se në BE do të ketë zgjedhje, por se varët edhe nga zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit.
‘’Rruga integruese për Kosovën është e pezulluar për faktin se jemi nën sanksione nga BE-ja. Pa u heq sanksionet nuk mund të ketë rrugëtim të mëtutjeshëm. Po ashtu edhe për shkak se në BE ka zgjedhje”, tha Ahmetaj.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka shprehur shqetësim se përbërja e re e udhëheqësve të institucioneve të BE-së, që do të dal pas zgjedhjeve të qershorit në bllokun evropian, mund të mos e përkrahë Kosovën në rrugën integruese. Ajo ka kërkuar progres urgjent në dialog./21Media