Kosova synon anëtarësimin në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, organizatë prej 170 shtetesh që kujdeset për mbajtjen e ekspozitave botërore e të posaçme dhe bashkëpunimin e shteteve.
Zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Getoar Mjeku, duke kërkuar miratimin e kësaj pike në mbledhjen e Qeverisë, deklaroi se Republika e Kosovës përmbushë të gjitha kushtet për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtarë.
“Sot u miratua nisma e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në “Byron Ndërkombëtare të Ekspozitave përkatësisht aderimin në Konventën e Parisit”. Vendimi obligon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të zhvillojë negociatat me Byron Ndërkombëtare të Ekspozitave për anëtarësim. Anëtarësimi ka qëllim promovimin e Republikës tonë, zgjerimin e bashkëpunimit me vendet pjesëmarrëse, prezantimin e avantazheve për investime në Kosovë, si dhe potencialit prodhues e eksportues të vendit”, thuhet në vendimin e Qeverisë./21Media