Kosova tronditet me vrasjen e 63 vjeçares në nisje të fushatës kundër dhunës ndaj gruas
Krimi që ndodhi dje në Prishtinë, ku një grua 63 vjeçare u vra në orët e hershme të mëngjesit nga i dyshuari bashkëshorti i saj tronditi mbarë vendin.
Sadije Godeni ishte mësimdhënëse në një nga shkollat e Prishtinës.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh sot dha sërish detaje lidhur me rastin. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00-04:40 të datës 25 nëntor.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Njësitë relevante policore dhe një ekipet e mjekësisë ligjore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga stafi përgjegjës i mjekësisë ligjore është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. “, njoftoi sot policia.
Rasti në fjalë ngjalli reagime prej krerëve të shtetit e deri të nxënësit e mësimdhënës së vrarë.
Vrasja në fjalë ndodhi pikërisht në ditën e parë të Fushatës Ndërkombëtare për Eliminim e Dhunës ndaj Gruas. Agjencia për Barazi Gjinore e dënoi aktin duke theksuar se dhuna në familje, marrja e jetës nuk ka justifikim për çfarëdo arsye dhe burim konflikti.
“Përkundrejt planeve dhe mesazheve të përgatitura paraprakisht për të shënuar dinjitetshëm ketë fushatë të rëndësishme, sot me trishtim dhe indinjate dënojmë humbjen e jetës së S.G qytetare e Prishtinës, mësueses 63 vjeçare qe sot humbi jetën, atje ku jeta saj duhet te ishte me e mbrojtur nga një vepër makaber nga duart e bashkëshortit të saj.”, thuhet në reagimin e kësaj agjencie.
Pas rastit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cilësoi si fenomen tejet shqetësues vrajsen e grave nga burrat e tyre si dhe u zotua se për vënien e drejtësisë në këto raste.
“Në mëngjesin e sotëm, rrugës drejt aktivitetit të parë të Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, aktivitetit në shkollë me nxënës dhe arsimtarë, mora lajmin tronditës: Një grua vritet nga burri i saj. Një arsimtare e një shkolle në Prishtinë.Është fenomen tejet shqetësues, vrasja e grave nga burrat e tyre. Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve, por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë.Familjes, kolegëve dhe nxënësve, i shprehim ngushllimet më të sinqerta!”, tha ajo.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë.
“Prandaj, ne si institucione, bashkë me të gjithë akterët tjerë, të kujdesemi më shumë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin. Po ashtu, të punojmë sot që t’i edukojmë fëmijët tanë, vajzat e djemtë, se e ardhmja do të jetë e sigurtë vetëm si të barabartë dhe pa dhunë.”, shkroi ajo.
Nagavci tregoi se lajmi erdhi në kohën kur në shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit po i dedikohej parandalimit të dhunës ndaj gruas, si pjesë e Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.
“Këtë rast, e bën edhe më të rëndë fakti se kjo grua që u vra sot ishte mësimdhënëse në një shkollë të kryeqytetit dhe do të mungojë sot e përgjithmonë te nxënësit e saj. “, tha Nagavci.
SBASHK e dënoi këtë akt dhe shprehu ngushëllime për familjen e bashkëpunëtorët.
“Dhembja shtohet për të gjithë punëtorët e arsimit ngase si pasojë e dhunës familjare, që ka nisur të bëhet përditshmëri, humbi jetën mësimdhënësja dhe anëtarja e devotshme e sindikatës sonë Sadije Godeni. Loti e dhembja jonë bëhet bashkë me dhembjen dhe lotin e punëtorëve arsimorë në shkollën “Dardania” në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Të lutemi bashkë që ngjarje të tilla tragjike të mos ndodhin kurrë më”, thuhet në reagimin e SBASHK.
E Rrjeti i Grave të Kosovës pas rastit në fjalë vlerësoi se vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi.
“Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, qartazi e ka të caktuar dënimin për Vrasjen e Rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmijës, dënohet me burgim të përjetshëm. Andaj, RrGK kërkon që të shqiptohet masa ndëshkuese maksimale dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat. RrGK, si rrjet i 190 organizatave të ndryshme për të drejtat të grave në gjithë Kosovën, do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore. “, thuhet në reagim./21Media