Kosovarët e vaksinuar s’duhet të karantinohen kur arrijnë në Angli

Qytetarët e Kosovës të cilët janë të vaksinuar e që do të udhëtojnë në Britani të Madhe nuk do të duhet të karantinohen kur të arrijnë atje.
Kjo është bërë e ditur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.
Certifikatat e vaksinës të lëshuara nga Qeveria e Kosovës do të pranohen si dëshmi e vaksinimit.
“Lajm i mirë. Nga e hëna e 11 tetorit qytetarëve të vaksinuar nga Kosova nuk do t’iu duhet të karantinohen dhe nuk do t’iu kërkohet testi PCR për të hyrë në Angli. Certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga Qeveria e Kosovës do të pranohen si dëshmi e vaksinimit. Rregulla të tjera aplikohen për hyrjen në Skoci, Wales dhe Irlandën Veriore”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike në Kosovë.
Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 milion e 407 mijë e 966 doza të vaksinës.

Deri më sot 588 mijë e 481 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./21Media
Back to top button