Komisioni inkurajoi Kosovën të sigurojë pavarësinë financiare

Komisioni inkurajoi Kosovën të sigurojë pavarësinë financiare

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoritetet e Kosovës filluan serinë e takimeve të Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me takimin e Nënkomitetit për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikë Sociale, i cili u mbajt të enjten në Prishtinë.

Në takim u mbulua një gamë e gjerë temash nga arsimi, politikat sociale dhe punësimi deri te telekomunikacioni dhe politikat audio-vizuale, si dhe trashëgimia kulturore.

Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi në prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të Agjendës përkatëse të Reformave Evropiane dhe prioriteteve të Programit të Reformave Ekonomike si dhe rekomandimeve nga Raporti i fundit të Komisionit për Kosovën dhe konkluzionet e mëhershme të Nënkomitetit.

Lidhur me shoqërinë e informacionit, Kosova përshkroi rezultatet e arritura deri tani në zbatimin e Agjendës Digjitale, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe planet për zhvillimin e shërbimeve dhe trajtimin e sfidave të reja digjitale në vitet e ardhshme.

Kosova përshkroi punën në vazhdimësi lidhur me sigurinë kibernetike, Direktivën për Sigurinë e Sistemeve të Rrjetit dhe Informacionit (Security of Network and Information Systems-NIS) si dhe transponimin e Rregullores për eIDAS (Shërbimet e Identifikimit Elektronik dhe Besimit për Transaksionet Elektronike në Tregun e Brendshëm – Electronic Identification and Trust Services for Electronic Transactions in the Internal Market).

Komisioni inkurajoi Kosovën të sigurojë pavarësinë financiare dhe organizative të autoritetit rregullator për komunikimin elektronik dhe postar.  Gjithashtu përshëndeti përparimin e Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes Rajonale për Roming.