Prodhimet bujqësore rriten për 5.8 për qind

Agjencia e Statistikave të Kosovës  ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi  duke treguar një rritje të përgjithshme të çmimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit

Çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë janë rritur krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të fundit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, indeksi i përgjithshëm i çmimeve ka shënuar rritje prej 5.8 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Rritja më e madhe është vërejtur te prodhimet bimore, të cilat janë shtrenjtuar për 7.0 për qind. Në këtë kategori përfshihen drithërat, perimet, patatet, pemët dhe bimët foragjere.

Ndërkohë, edhe prodhimet blegtorale kanë shënuar ngritje të çmimeve për 4.9 për qind. Në këtë grup hyjnë kafshët për treg, si gjedhet, delet, derrat dhe pulat, si dhe produktet si qumështi, vezët dhe mjalti.

“Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.  Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro, kurse njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”.

Rritja e çmimeve tregon se sektori i bujqësisë po përballet me kosto më të larta të prodhimit dhe lëvizje të vazhdueshme në treg, çka pritet të reflektohet edhe te konsumatorët. 

Back to top button