Kosovo Theatre Showcase mbahet në Prishtinë, Ferizaj e Gjilan nga 2 deri më 7 nëntor

Për pesë ditë me radhë, Showcase-i i këtij viti mbledh në Kosovë rreth 50 drejtues festivalesh, kritikë, gazetarë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota të cilët do të kenë mundësinë të shohin prodhimtarinë më të fundit teatrore në Kosovë, të prezantojnë punën e tyre si dhe të flasin për çështje të tjera që kanë të bëjnë me teatrin.
Këtë vit Showcase-i prezenton 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa, në një program përcjellës të shfaqjeve mysafire të titulluar “Programi i vendeve pa regjim vizash”.
Showcase-i teatror kosovar synon që për çdo vit të sjellë disa nga krijimet më mbresëlënëse dhe të arrira të teatrit në Kosovë.
“Jemi të lumtur që edhe këtë vit po mundemi ti japim krahë produksionit inovativ teatror të vendit tonë. Çdo ditë po e shohim se ka një interesim gjithnjë e më të madh të publikut për teatër po gjithashtu ka edhe interesim nga skenat teatrore evropiane për të përjetuar e bashkëpunuar me skenën e Kosovës dhe në këtë kuptim Showcase-i ynë po rritet”, tha drejtori ekzekutiv i Qendrës Multimedia Jeton Neziraj, .
Mysafirët e Showcase-it, përpos që njihen për së afërmi me shfaqje të prodhuara në Kosovë ― një vend me një nga skenat më vitale e vibrante në Ballkan ― kanë mundësinë edhe të ndërveprojnë me krijuesit vendorë të teatrit përmes diskutimeve, paneleve e programeve përcjellëse. Këtë vit, Kosovo Theatre Showcase është nikoqir i premierës së shfaqjes Balkan Bordello në regji të Blerta Nezirajt, që jepet të mërkurën më 3 nëntor në Teatrin Oda.
Kjo shfaqje vie si koproduksion i teatrit La MaMa nga Nju Jorku, Qendra Multimedia nga Prishtina, Atelje 212 nga Beogradi dhe My Balkans nga Nju Jorku, me një kastë aktorësh amerikanë, serbë e shqiptarë. Në realizimin e kësaj shfaqjeje janë përfshirë artistë nga 7 vende të ndryshme të botës. Mes shumë shfaqjeve të tjera, sivjet në Showcase do të rikthehet para publikut, pas rreth 6 vitesh,shfaqja John Cage’s Hamlet e regjisorit të ndjerë kosovar, Bekim Lumi.Kosovo Theatre Showcase organizohet nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit në Gjilan, Teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe teatrin “Dodona” në Prishtinë./21Media

Back to top button