Kovaçevski mirëpret në Ohër mysafirët për “Ballkanin e Hapur”
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sonte ka bërë të ditur se ka mirëpritur udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për samitin “Ballkani i Hapur”.
Ai ka shkruar se është kënaqësi të mirpret miqtë në qytetin e bukur të Ohrit, nga ku edhe ka publikuar fotografi.
“Mirëprita miqtë e mi të dashur, udhëheqës nga Ballkani Perëndimor në Ohrin tonë të bukur. Ne e fillojmë samitin në një atmosferë miqësore dhe joformale”, ka shkruar ai në Facebook.
Sonte, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçesvski në vilën e presidencës në Ohër do të darkojë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç si dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas agjendës, për nesër janë paraparë fjalime zyrtare në samit, përveç kryeministrave dhe ministrave të rajonit me video fjalime do të paraqiten edhe eurokomisari për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varheji dhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit dhe i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar
Në këtë samit nuk do të marrë pjesë Kosova, e cila thotë se “Ballkani i Hapur” është iniciativë e Serbisë, për të promovuar interesat ruse dhe kineze.
Në fund të samitit është paraparë të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor për njohje reciproke të diplomave dhe notave shkencore të dhëna në institucione të arsimit të lartë dhe institucione tjera të autorizuara dhe memorandume për mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administratës tatimore.
Iniciativa “Ballkani i Hapur” parashikon lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis vendeve-anëtare.
“Ballkani i Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk ka arritur të zgjerohej./21Media