Kovaçevski tregon përfitimet e Maqedonisë nga plani i zhvillimit që i prezantoi Von der Leyen

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot njoftoi se kryetarja e Komisionit Evropia, Ursula von der Leyen ka prezantuar planin ekonomik të BE-së për mbështetje ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pritet të rrisë ekonominë e rajonit për 10 për qind, përcjell TV21.

Kryeministri theksoi se ndihma e BE-së ndër vite ndaj Maqedonisë së Veriut ka tejkaluar shifrën e 3 miliardë eurove.

“Me realizimin, që varet edhe nga BE-ja, por mbi të gjitha edhe nga ne, vendet e Ballkanit perëndimor, dyfish do ta zmadhojë vëllimin e ekonomisë në rajon dhe në vend përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Me vendosjen dhe përforcimin e tregut rajonal, ekonomitë tona do rriten për 10 për qind, ndërsa me hapjen e derës së tregut të vetëm ekonomik, siç është paraparë me këtë plan, mundësitë janë me të vërtet të mëdha”, tha mes tjerash Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se me planin është paraparë që vendi ynë dhe vendet e rajonit të kenë qasje në tregun e vetëm të BE-së.

“Mundësi për hapjen e tregut të BE-së për produktet e Maqedonisë së Veriut, me çka do të eliminoheshin barrierat e tregtisë dhe në këtë mënyrë produktet tona bëhen më konkurrentë në tregun europian. Do të rritet përfshirja e prodhimeve pa doganë gjatë eksportit dhe importit. Ulet koha e pritjes në kufi, ulen shpenzimet për transport, mundësohet qarkullimi i pandërprerë i shërbimeve në pjesën e tregtisë elektronike, pranohen kualifikimet e profesionistëve dhe rritet kualiteti i arsimit. Ulen shpenzimet për pagesa jo kesh përtej kufijve, liberalizohet transporti, respektivisht trafiku rrugor”, theksoi mes tjerash Kovaçevski duke shtuar se plani ndihmon në arritjen e qëllimit të vendit tonë për pavarësi në energjetikë por edhe në uljen e çmimit të roamingut për thirrje dhe mesazhe./TV21

Back to top button