KPK-ja zgjedh Kryesuesin dhe Zëvendëskyresuesen

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka zgjedhur Kryesuesin e ri, Ardian Hajdaraj dhe Zëvendëskyresuesen e re, Jehona Grantolli, në mbledhjen e 341 të mbajtur nga KPK-ja.

“Fillimisht, pas prezantimit të kandidaturave të anëtarëve të nominuar për pozitën e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të ri, KPK-ja zgjodhi në mënyrë unanime z.Ardian Hajdarajn, anëtar i KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore në Pejë, në pozitën e Kryesuesit dhe znj.Jehona Grantollin, anëtare e KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në pozitën e Zëvendëskryesueses së Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së për media, shkruan rtv21.tv.

Mandati i tyre sipas njoftimit do të zgjasë dy vjet, ndërsa zgjedhjes së tyre u ka paraprirë hapja e thirrjes publike më 15 janar 2024 për nominimin e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial.

“Më pastaj, anëtarët e Këshillit, votuan edhe për zgjedhjen e kryesuesve dhe anëtarëve të rinj të Komisioneve të Përhershme të KPK-së, me ç’rast me votim unanim u zgjodhën z.Jetish Maloku në pozitën e Kryesuesit të Komisionit për Administrimin e Prokurorive dhe z.Veton Shabani në pozitën e Kryesuesit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button