KQZ ka akredituar 4 mijë e 887 vëzhgues

U propozua nënshkrimi i një Kodi Etik nga ana e Këshillave të Vendvotimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja Valdete Daka.

Në këtë mbledhje, KQZ akreditoi Grupin e VI të vëzhguesve për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 11 qershor, që përfshin 1 mijë e 437 vëzhgues.

Deri më tani, KQZ ka akredituar 4 mijë e 887 vëzhgues, që përfaqësojnë subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje; Organizata dhe Institucione Ndërkombëtare; Organizata Jo-Qeveritare vendore, etj.

KQZ diskutoi edhe për masat që duhet të ndërmerren në drejtim të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së vullnetit të votuesve, gjatë numërimit të votave të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë. Anëtarët e KQZ-së diskutuan disa prej masave që mund të ndërmerren në këtë drejtim, siç mund të jenë: një qarkore informuese për Këshillat e Vendvotimeve për masat ndëshkuese të parapara në Kodin Penal në rast të mosnumërimit të saktë të votave të kandidatëve dhe subjekteve politike dhe mundësia që të stimulohen me pagesë shtesë të gjithë Këshillat e Vendvotimeve që përmbyllin suksesshëm dhe pa vërejtje procesin e numërimit. Po ashtu, si masë shtesë u propozua edhe nënshkrimi i një Kodi Etik nga ana e Këshillave të Vendvotimit si një formë zotimi se do të përmbushin me përgjegjësi detyrat e tyre.

Anëtarët e KQZ-së u dakorduan që gjatë ditës së martë, Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të paraqesë para KQZ-së një dokument/analizë për koston buxhetore dhe mundësinë e përmbushjes sa më efikase të kësaj ideje./21Media

 

Back to top button