​KQZ-ja regjistron një parti politike dhe pezullon një tjetër

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 10 vota për ka votuar për të pezulluar subjektin politik “Graðanska Inicijativa Gore”, kjo për shkak që ky subjekt politik nuk ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor me datën e paraparë e që ka qenë 20 qershori i këtij viti.

Por, i është dhënë afat prej 45 ditësh që të mbajë të njëjtin.

Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala ishte ai që dha këtë rekomandim, duke thënë se Kuvendi është dashur të mbahej më 20 qershor.

Ndërsa, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tregoi që ky rekomandim u votua më 10 vota për, çka bëri që kjo parti politike të pezullohet.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtori Besnik Buzhala rekomandoi regjistrimin e partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.

Besnik Buzhala potencoi se ky subjekt politik është subjekt parlamentar i cili gjithashtu përfiton edhe mjete financiare nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike.

Ndërsa, Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar të dijë nëse ka subjekte që nuk e kanë përfunduar procesin e regjistrimit.

Derisa sipas Buzhalës Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës është subjekti i fundit që regjistrohet si iniciative qytetare. Andaj tha se nëse anëtarët vendosin për regjistrim shndërrohet si parti politike.

E, pas këtij diskutimi “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”, u regjistrua si parti me 10 vota për.

Tutje anëtarët e KQZ-së kanë miratuar rekomandimin për privim të përfitimit të mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për subjektin politik Partia e Ashkëtinjve për Integrim për vitin 2025.

Buzhala ka thënë se kanë arritur në përfundim se subjekti politik nuk ka bashkëpunuar me zyrën ligjore të auditorit.

Back to top button