KQZ nesër pritet të miratojë qendrat e votimit për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do mblidhet të premten për të shqyrtuar dhe miratuar disa çështje në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Mbledhja pritet të fillojë nga ora 13:30 ku është planifikuar që anëtarët e KQZ-së të shqyrtojnë dhe miratojnë edhe disa çështje në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit.

Në rend dite është miratimi i rekomandimit për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet për kryetar të komunave në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveqan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvende komunale në Zveqan dhe Leposaviq.

Gjithashtu pritet të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve dhe broshurave që shtypen për zgjedhjet e 23 prillit.

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto zgjedhje ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve./21Media

Back to top button