KQZ nuk e certifikon Selim Pacollin

Selim Pacolli nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit.
Pacolli i AKR-ja përmes një postimi në ‘Facebook” ka thënë se KQZ nuk e ka certifikuar kandidaturën e tij, sepse bazuar në një aktvendim të vitit 2019, e kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim.
“Me saktë, afati ishte të Premten, ndërsa deklarimi të Hënën, në orën 8 të mëngjesit në prezencën time fizike. Kjo vonesë ka ndodhë si pasojë e udhëtimit tim për çështje shëndetësore jashtë vendit. Edhe pse në esencë ky është një vendim arbitrar dhe i palogjikshëm, vendimet e gjyqësorit janë të shenjta dhe të padiskutueshme”, ka thënë ai si arsyetim se përse s’kishte bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor.
Tutje, Pacolli ka paralajmëruar se megjithatë AKR-ja do të ketë kandidat për kryetar të Prishtinës.
“U betohem që edhe pse nuk do të jem zyrtarisht kandidat për kryetar të Prishtinës, dëshira dhe angazhimi im për qytetarët e Prishtinës është edhe më i madh. Unë do të ju qëndroj besnik dhe do ti mbështes ne çdo hap të gjithë kandidatët e listës sonë për kuvendin komunal, e në veçanti kandidatin e subjektit tim AKR për kryetar të Prishtinës. Ju siguroj se zotimi im për qytetarët është po aq i vlefshëm dhe nuk do të abstenojë por do të vazhdoj angazhimin tim sikurse para marrjes së këtij lajmi. Do të vazhdojë implementimin e të gjitha projekteve të planifikuara për këtë mandat, dhe projektet e parapara për mandatin vijues, e që janë jetike për qytetin tonë”, është shprehur nënkryetari i Prishtinës.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen sivjet më 17 tetor./21Media

Back to top button