KQZ pranoi mbi 5 mijë e 600 pako me fletëvotime nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar 5 mijë e 649 pako me fletëvotime nga jashtë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se këto pako janë tërhequr tashmë nga të gjitha postat dhe qendrat tranzitore dhe do të hapen më 17 tetor, sapo të mbyllen vendvotimet.
Ahmetaj ka treguar po ashtu se numri i votuesve me nevoja të veçanta, votim ky që ka nisur nga 18 gusht deri më 2 tetor, është 1 mijë e 835, numri i votuesve me lëvizje të kufizuar në institucione është 1 mijë e 980, ndërkaq numri i votuesve me rrethana të veçanta është 28.
Ai po ashtu ka bërë me dije se të gjitha materiale zgjedhore të ndjeshme dhe të pandjeshme tashmë janë shpërndarë në të gjithë territorin e Kosovës, dhe kanë marrë konfirmimin se ato janë pranuar.
Shefi i Sekretariatit të KQZ-së ka folur edhe për fushatën zgjedhore, duke bërë me dije se 28 tubime zgjedhore janë mbajtur pa i përfillur rregullat zgjedhore dhe vendimet e Qeverisë për masat anti-COVID.

Back to top button