KQZ shpalli rezultatet përfundimtare për 20 komuna
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë që u mbajtën më 14 nëntor.
KQZ shpalli rezultatet e 20 komunave nga 21 sa ishin në balotazh, pa Dragashin.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës së premte ka vendosur që t’i anulojë votat e diasporës për komunën e Dragashit, pas ankesës së kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune se ato ishin të manipuluara.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.
Për t’i parë rezultatet përfundimtare kliko këtu.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimare, në afat brenda 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj./21Media