KQZ sqaron dilemat për vendosjen e kamerave në vendvotime dhe për krijimin e listës së votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është deklaruar lidhur me vendimin e këtij institucioni për vendosjen e kamerave në vendvotime për procesin e votimit më 21 prill në komunat e veriut të Kosovës apo në proceset e ardhshme zgjedhore. Ndërsa, është sqaruar edhe çështja e krijimit të Listës Votuese.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi lidhur me këtë çështje ka thënë se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore. Sipas Elezit, vendosja kamerave në vendvotime do të bëhet në atë mënyrë që do të ruajë fshehtësinë e votës dhe se ky vendim nga KQZ është marrë me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotime.

Elezi ka thënë se Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor. Gjithashtu, Elezi ka sqaruar edhe çështjen e krijimit të Listës Votuese, e cila do të përdoret në procesin e votimit për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zeçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, më 21 prill 2024.

Ai ka thënë se KQZ ka ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore për krijimin e Listës së Votuesve.

KQZ ka sqaruar edhe dilemat e ngritura në opinion se në këto komuna numri i banorëve rezidentë është më i ulët në krahasim me numrin e votuesve. Ndërkaq, mbledhja e KQZ-së e paraparë për sot, është shtyrë për një ditë tjetër derisa disa çështje të jenë të gatshme.
Back to top button