Krasniqi: Abuzimet më të mëdha Qeveria e Kurti i ka bërë në energji

(Lajm i përditësuar)

Lideri i PDK-së Memli Krasniqi tha se, abuzimet më të mëdha të Qeverisë Kurti janë bërë në sektorin e energjisë.

Ai këto deklarata i bëri gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku  po diskutohet rreth arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Unë konsideroj që tema për të cilën jemi mbledhur është e rëndësishme për qytetarët sepse po flasim për dyshimet për keqpërdorime marramendëse të cilat nuk është se janë të papritura në sektorin e energjisë. Janë befasuese sjelljet e shumicës e të kryeministrit sepse në çdo vend normal në momentin kur bëhet publik lajmi i arrestimit të shefit të energjisë së Kosovës, që ka qenë shef për energji në LVV, në atë moment një kryeministër do të duhej të kërkonte shkarkimin imediat sepse kjo është postulat ligjit e kushtetues. Ne nuk e kemi pasur këtë situatë, është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë. Vjen kryeministri këtu, le që e mbron por edhe fillon e sulmon e shantazhon komplet sistemin e drejtësisë, duke i sulmuar me emra prokurorët. Është me rëndësi të dihet çfarë ka ndodhur dhe është e thjeshtë, është arrestuar shefi i KEK-ut që është kolegu i shumë prej juve që i ka udhëheqë politikat e juaja. Dyshohet për tri vepra penale. Janë akuza të rënda, është e padrejtë të silleni në këtë formë duke thënë është burrë i mirë, ndoshta i mirë është te shpia, në shoqëri akraba, po aty duhet ta zbatojë ligjin. Ne po flasim për dyshime të keqpërdorimit të mbi 70 milionë eurove. Sikur të ishte ky arrestim skandali i parë ma merr mendja që do të kishin dyshim, por siç e dimë të gjithë keqpërdorimi është vazhdim i aferave e skandaleve të keqpërdorimit të qindra milionave që kanë ndodhur gjatë kohës së qeverisjes Kurti. Abuzimet më të mëdha, Qeveria i ka bërë në sektorin e energjisë”, deklaroi Krasniqi.

Rizvanolli pyet opozitën: Pse ju interesojnë kaq shumë tenderët?

Kuvendi i Kosovës po vazhdon sot debatin parlamentar, lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Para legjislativit, fjalën e mori ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se dëshiron t’i pyet deputetët opozitarë se pse iu interesojnë kaq shumë vetëm tenderët, por tha se përgjigjen e dinë nga ish-
“Disave nga ju, deputetë të opozitës desha t’iu pyes se pse gjatë këtyre dy viteve aq rrallë keni fol për politikat e aq shpesh keni ditur detaje dhe keni ngritur çështje në lidhje me tenderët në KEK dhe ndërmarrje të tjera. Kur u shpall tenderi, kush e fitoi pse e fitoi firma x pse jo tjetra. Desha t’iu pyes se pse ju i dini në kaq detaje këto informata dhe i përcjellin me kaq sukses. Por, nuk dua, pasi unë këtu kam jetuar ju njoh dhe qytetarët ju njohin, andaj nuk ka nevojë për përgjigje këtu”, tha ajo.

Ndërkaq, ajo përmendi sukseset e KEK-ut gjatë vitit 2022, derisa nuk foli fare për arrestimin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për keqpërodrim të detyrës zyrtare.

“KEK-u e ka mbyllur vitin 2022 me shumë suksese duke përfshirë fitimin rekord 107.7 milionë euro dhe një plan të realizuar 97 për qind të prodhimit të planifikuar, i cili është shumë i lartë për shkak të sfidave dhe krizës energjetike”, tha ajo.

Por, ministres Rizvanolli i reagoi shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se të dhënat për tenderët sigurohen shumë lehtë në e-prokurorim, derisa tha se abuzimet në KEK janë të mëdha.
“Abuzimet ministre janë shumë të mëdha, janë tepër të mëdha, folni për atë. Tjetra është se keni gabuar, pasi Nagip Krasniqin është dashur me shkarku, jo me lënë tjetrin ushtrues detyrë të zëvendësdrejtorit që i ushtron kompetencat e kryeshefit. Kjo është gabim dhe aferë korruptive”, theksoi ai.

Ndërkaq, ministrja Rizvanolli tha se tenderin për shiritat transportues në KEK që e përmendi deputeti Tahiri është nisur periudhën e qeverisë LDK-AAK.

“I nderuar deputet unë detajet e tenderëve nuk i di. Më duhet me pranu, por ndërkohë më informuan se për atë që më herët e përmende për furnizimin me shiritat transportues është nisur në periudhën e qeverisë LDK-AAK, lënda ka qenë në OShP”, tha ajo

Haradinaj: Kurti është shef i të korruptuarve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e quajti shef të të korruptuarve kryeministrin Albin Kurti.

Në seancën e sotme plenare, ku po diskutohet për zhvillimet e fundit në KEK, Haradinaj tha se Kurti ka krijuar një model të veçantë të korrupsionit, siç e quajti ai “lidhje e shkurt korruptive duke emëruar dosta në pozita publike”.

“Po flasim për një model të veçantë, modeli i korrupsionit të Lëvizjes Vetëvendosje njihet dhe quhet lidhje e shkurt korruptive. Si ndodh kjo, kur një bord ku ka shumë interesa financiare vendosën dostat e vendimmarrësve, kryeministrit që personalisht i ka intervistuar këtë. Ju lutem kuptoni pak pse kryeministri del në foltore e mbron dostin dhe jo prokurorin. Kuptoni pak, vendimmarrësit e tyre e kanë përcaktim lidhjen e shkurt si model të korrupsionit. Albin Kurti personalisht ka intervistuar deri të anëtarët e bordit të ujësjellësve…Ju mundeni me thënë që Albin Kurti nuk është i korruptuar, ai është shefi i të korruptuarve, krijuesi i modelit të korrupsionit, lidhja e shkurt-dostat”, tha ai.

Haradinaj, duke kritikuar ekzekutivin përmendi edhe rastin e tij sa ka qenë kryeministër me ish-prokurorin Elez Blakaj.

“Për njërin prokuror njëherë, kryeministri i tashëm e ka ngritur në këmbë një vend vetëm për faktin se atij i është kërkuar një raport për një material që e ka marrë në kryeministri. Pra për dosjen e veteranëve, këta ministra dhe deputetë që janë këtu kanë dal në anën e prokurorët. Kurse tani nuk munden me dal kundër dostat, pro dalin kundër prokurorit”, shtoi ai.

Ndërkohë, ai pati një polemikë në distancë edhe me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

“E nderuar ministre nëse keni diçka për të thënë e keni foltoren kur të keni radhën ven këtu. Respektoni pak pozitën e juaj”, tha ai

Selmanaj kritikon qeverinë: Qasja e tyre ka qenë e papranueshme në KEK

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj kritikoi Qeverinë e Kosovës se ka përdorur qasje të gabuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Selmanaj, në debatin e sotëm parlamentar për zhvillimet në KEK, pas arrestimit të ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, tha se janë të bindur se ky i fundit nuk ka qenë i vetëm në aktivitetet milionëshe dhe të paligjshme të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Qasja e qeverisë Kurti ka qenë e papranueshme që nga kapja e kësaj ndërmarrje nga aktivistët dhe funksionarët e Lëvizjse Vetëvendosje, fillimisht me vendosjen e Nagip Krasniqit në pozitën e kryeshefit të KEK-ut, pastaj me zgjedhjen e bordit të kësaj ndërmarrje. Rolin e tyre në LVV e kanë dëshmuar edhe disa deputetë të LVV, ku kjo fatkeqësisht po konsiderohet edhe si mburrje. LDK vazhdimisht ka ngritur shqetësimet e saj për zhvillimet në këtë korporatë që nga mënyrat se si kjo qeveri dhe KEK-u kanë menaxhuar krizën energjetike në periudhën 2021-2022, shtrenjtimin e faturave të energjisë, mënyrën e subvencionimit dhe punësimet familjare”, tha ai.

Selmanaj nënvizoi se hetimi penal ndaj ish-kryeshefit Krasniqi për keqpërdorim të detyrës në KEK nuk duhet të ndalet, madje ai tha se duhet të zbardhet e vërteta edhe për rolin e ambasadorit Martin Berishaj, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryeministrit Kurti.

“Presin që ky hetim penal mos të ndalet deri sa të zbardhet e vërteta, deri në detajet e fundit, përfshirë edhe rolin e ambasadorit Martin Berishaj, ministres së Ekonomisë dhe kryeministrit Kurti në gjithë këtë proces. Jemi të bindur se zotëri Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitete shumë milionëshe dhe të paligjshme”, përfundoi ai

Tahiri: 30 kontratat njëburimore në KEK dëshmojnë abuzimin e ish-drejtorit të KEK -ut

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nënshkrimi i 30 kontratave njëburimore në vlerë prej 72 milionë euro në KEK, dëshmojnë abuzimin që ka bërë ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Tahiri tha se arrestimi i tij është i duhur, derisa shtoi se legjislativi po bën mirë që po diskuton në lidhje me zhvillimet në KEK dhe arrestimin e tij.

“Për pesë muaj KEK ka nënshkruar në vlerë prej 72 milionë euro 30 kontrata njëburimore të Nagip Krasniqit, i cili sot besoj se është me plot të drejtë në paraburgim. Mimoza e ka shqetësim të madh pasi e njëjta ka mundur me qenë në të kaluarën pasi është ndjekur politikisht nga drejtori i Bordit, që në atë kohë ka qenë si ekspert i Prokurorisë Speciale”, tha ai.

Duke arsyetuar thirrjen e kësaj seance, Tahiri tha se Kuvendi ka të drejtë të diskutojë kur arrestohet një zyrtar i lartë i partisë në pushtet.

“Kuvendi i Kosovës e ka të drejtën me thirr seancë të jashtëzakonshme kur arrestohet një zyrtar i lartë politik i një partie politike. Ne nuk po flasim për një njeri të rëndomtë që ka qenë më herët në KEK dhe është emëruar drejtor, por ne po flasim për arrestim të personit kyç në LVV që drejtonte komitetin e politikave që lidheshin me energji”, shtoi Tahiri.

12:00- Kusari-Lila- opozitës: Bëni mocion që Nagip Krasniqi me duar të lidhura të sillet në Kuvend për të raportuar

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila tha se opozita po mundohet të shfrytëzojë mekanizmin që siç thotë ajo ka ende ndikim në të, prokurorinë,

Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila tha se opozita po e kthen sallën e Kuvendit në gjykatore.

“Opozita po mundohet të shfrytëzoj mekanizmin në të cilin ende e kanë ndikimin e tyre, atë të prokurorisë, duke e kthyer sallën e Kuvendit në gjykatore. Për të realizuar këtë skenar deri në fund i propozoj opozitës ta bëj një mocion sot, dhe nga qendra e paraburgimit ku po mbahet Nagip Krasniqi, të sillet këtu, në sallën e Kuvendit, ashtu duar lidhur siç e nxorën nga Gjykata dhe të pyetet për të gjitha procedurat e prokurimit dhe aktivitetet tjera operacionale që janë zhvilluar në KEK sa ishte ai drejtor. Sikur të ishit të bindur se prokuroria e ka të bazuar në fakte akuzën ndaj drejtorit të pezulluar, nuk do të insistonit në mbajtjen e kësaj seance”, tha Kusari-Lila në Kuvend.

08:07- Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

Kuvendi i Kosovës sot rreth orës 11:00 mban seancë të jashtëzakonshme në lidhje me me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Kjo seancë është thirrur nga Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Ai përmes një postimi në Facebook njoftoi se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

“Sapo dorëzova kërkesën e mbështetur nga 40 deputetë për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër nga ora 11:00, ku do të kërkojmë përgjegjësi për aktualitetin e krijuar me rastin e arrestimit për korrupsion të zyrtarit të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, i emëruar nga pushteti në krye të KEK-ut”, ka njoftuar Tahiri.

Krasniqi është arrestuar javën e kaluar nën dyshimet për keqpërdorim detyre. Aktualisht ai po mbahet në paraburgim.

Bordi i KEK-ut të martën pezulloi nga posti i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqin, duke e emëruar ushtrues detyre, Përparim Kabashin./ 21Media

Back to top button