Krasniqi-ambasadorit suedez: Kërkojmë zgjedhje të parakohshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka pritur sot në selinë e partisë ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Krasniqi ka thënë se ambasadorit suedez ia ka përsëritur pozicionin e PDK-së për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Situata e rëndë në të cilën ndodhet Kosova aktualisht dhe zbehja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, si pasojë e krizave të prodhuara nga kryeministri Albin Kurti, janë qëndrimet që ia shpreha sot Ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, të cilin e prita në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, me ç’rast diskutuam për zhvillimet politike në vend. Amasadorit Westerlund ia ripërsërita pozicionin e PDK-së për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi situata në Kosovë është jonormale, sidomos pas sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi po ashtu ka thënë se e ka njoftuar ambasadorin edhe për vendimet tjera të marra në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, që janë pezullimi i komunikimit zyrtar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani dhe vendimi për të mos votuar në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës për asnjë ligj, rezolutë, marrëveshje ndërkombëtare apo dokument tjetër.

Tutje, Krasniqi ka thënë se PDK mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të mira me partnerët tanë ndërkombëtarë./21Media

Back to top button